Mbledhja e rradhës së (K.K.Q.V.) Devoll

Komisioni Këshillimor Qytetar Vendor (K.K.Q.V.) Devoll, organizoi mbledhjen e rradhës për të diskutuar mbi çështjet në vazhdimësi të punës së tij.

Në takim ishte i pranishëm Kryetari i Bashkisë Devoll, z.Bledjon Nallbati. Ai shprehu mbështetjen maksimale ndaj K.K.Q.V duke përgëzuar shërbesën që ajo i bën komunitetit në drejtim të problemeve të përditshme. Z. Nallbati vendosi shenjën e barazisë midis bashkëpunimit të mirë dhe punës së suksesshme për të patur një mirëqeverisje lokale. Diskutimi u finalizua nëpërmjet firmosjes së Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Bashkisë Devoll dhe Komisionit Këshillimor Qytetar Vendor.

Takimi bashkëbisedues u ndal në një nga problemet prioritare për qytetarët e Bilishtit, siç është heqja e mbeturinave nga brenda qytetit. Proçesi përfundimtar i heqjes së tyre kërkon kohë dhe ka kosto të lartë. K.K.Q.V Devoll do të mbështesë Bashkinë e Devollit me anë të propozimit në Këshillin Bashkiak për mbledhjen e grumbullit të mbeturinave në sa më pak sipërfaqe të mundshme dhe për monitorimin e vendit nga veprimet abuzive të personave të paidentifikuar që i vendosin zjarrin dhe krijojnë ambient të pakëndshëm dhe të ndotur për qytetarët e Bilishtit.

Kryetari i Bashkisë dha informacion në drejtim të disa investimeve të realizuara deri tani në qytet, duke filluar me kanalizimet e ujërave të zeza, ndriçimin në fshatra dhe shtrimin e 52 km të rrugëve kryesore  të arrave.

Probleme  të tjera prioritare të diskutuara gjatë mbledhjes ishin:

  •      Furnizimi me dru zjarri i qytetarëve për stinën e dimrit
  •      Heqja e bagëtive brenda qytetit
  •      Varrezat e qytetit
  •      Diskutimi mbi prerjen ose jo të pemëve të gështenjave në pedonalen e Bilishtit

Këto probleme mbeten ende shqetësuese dhe pa zgjidhje konkrete për të cilat Bashkia e Devollit do të vazhdojë të bashkëpunojë  me K.K.Q.V. Devoll në mbështetje reciproke për propozime të ndryshme zgjidhjesh duke përfshirë dhe opinionin më të gjerë qytetar.

 

K.K.Q.V. Devoll me mbështetjen e koordinatorëve  të  projektit : ‘Forcimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit duke forcuar rolin e qytetarëve dhe shoqërisë civile nëpërmjet proçeseve me pjesëmarrje në qeverisje’, do të vazhdojë punën për identifikimin e problemeve të ndryshme, për zgjerimin dhe shndërrimin e këtij organi në një zë të vetëm për qytetarët e Devollit.   

About the Author

Share