Konferenca - Këshilli Rural për Zhvillim Lokal Drejtuar nga Komuniteti, Bashkia Korçë

“Këshilli Rural për Zhvillim Ekonomik Lokal” hodhi bazat e tij në Konferencën e zhvilluar ditën e shtunë, datë 2 Shkurt 2019, në ambientet e Hotel “Koçibelli” në Korçë.

Pjesëmarrësit u njohën me qëllimet kryesore të projektit “Rural Korçë”, si dhe me strukturën, funksionet dhe qëllimet e Këshillit Rural. 
Ky Këshill do të zhvillojë takime midis shoqërisë civile rurale, fermerëve, agro-biznesit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga bashkitë përkatëse (Korçë dhe Devoll), ku do të nxirren në pah aspektet kritike të zonave rurale, do të diskutohen problematika të ndryshme dhe do të identifikohen prioritetet për një zhvillim rural të qëndrueshëm dhe gjithpërfshirës. Strategjitë për zhvillim lokal do të jenë baza për zhvillimin lokal me udhëheqjen e komunitetit në periudhën në vazhdim. Përgatitja e projekteve për zhvillim dhe tërheqje të fondeve kombëtare/ ndërkombëtare është një nga synimet kryesore të kësaj strukture.

Formalizimi i mëtejshëm i Këshillit do të bëhet duke përzgjedhur nën-grupet të cilat do të organizohen sipas interesave të tilla si gjinia, mbështetja e fermerëve të vegjël, mjedisi, cilësia e jetës në zonat rurale etj. Krijimi i këtij rrjeti, me pjesëmarrje të lartë të grave dhe të rinjve, synon zbatimin e veprimeve konkrete për fuqizimin lokal, promovimin e identitetit të shoqërisë rurale dhe menaxhimit të mirë të zhvillimit rural.

Pjesëmarrësit në takim u njohën me eksperiencën italiane në programin “LEADER” si dhe me organizimin dhe funksionimin e Grupeve Vendore të Veprimit kryesisht për rajonin Umbria në Itali. 
Ata shprehën të interesuar dhe të gatshëm për angazhim real dhe përfshirje aktive në administrimin e mirë të zhvillimit rural!
Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe stafin e Bashkisë Korçë në mbështetje të projektit!

About the Author

Share